| Në emër të Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit. Falënderimet dhe lavdërimet e sinqerta tonat i takojnë vetëm Allahut të Lartësuar. Ndërkaq, paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi Muhammedin, alejhi selam, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Llogarisë! Sajti alb-drejtesia.com është pjesë e rizgjimit të popullatës muslimane në Ballkan e veçanërisht tek populli shqiptar. Si shumë sajte të tjera me këtë frymë, edhe ky sajt është një sajt islam i cili ka qëllimet, vizionet, strategjitë dhe format e veprimit të vet. Në pamje të parë tek vizituesi i këtij sajti duket se gjithçka është e njëjtë dhe nuk ndryshon fare prej sajteve të tjera, të cilat për çdo ditë po hapen në botën mediatike dhe po luajnë rolin e tyre në ndryshim për të mirë. Mirëpo, nëse analizojmë më thellësisht dhe më afër identitetit të këtij sajti do të shohim se ky sajt dallon prej sajteve të tjera, edhepse gjendet në vijë të drejtë me një grup sajtesh të tjera islame në internet. Pse ky emër? Shtesa "alb" sqaron identitetin tonë kombëtar dhe gjuhën me të cilën ne flasim e veprojmë. Por, kjo shtesë në fillim të emërtimit specifikon edhe pjesët e njerëzve se kujt i drejtohet thirrja islame. Pjesa tjetër e këtij emërtimi me të cilin emër ne identifikohemi është se sot popullin tonë ka kapluar padrejtësia edhe në vetë pjesëtarët e saj dhe ka nevojë që ndryshimi të fillojë mu aty ku zemra e njeriut lëngon më shumë. Nëse paraqesim në pah drejtësinë, atëherë padyshim se do të ishim shumë produktivë në realizimin e synimeve tona, dhe e kundërta, nëse ne paraqitemi para opinionit publik me këtë emër e në fakt aspak nuk përfillim drejtësinë ne cenojmë integritetin e thirrjes islame. Në saje të drejtësisë së të parëve tanë muslimanë, pjesa më e madhe e rruzullit tokësor pranoi Islamin, e nga kjo nuk do të thotë se ne zhvlerësojmë edhe pjesët e tjera, të cilat janë të domosdoshme për t'u aplikuar në thirrjen islame. Kush jemi ne? Në fakt, ne nuk ishim, por u bëmë. Kemi rrënjë në Kur'an dhe në Sunnetin e të Dërguarit të Allahut, alejhi selam. Ndoshta ne jemi frytet e lëvizjes dekadëshe islame të cilën lëvizje e organizuan një numër i madh i organizatave islame në Ballkan; ndoshta ne jemi edhe të lindur misionarë në këtë formë të realizimit të misionit; ndoshta jemi edhe disa njerëz të cilët kemi gjetur përkrahje tek një numër i madh njerëzish të tjerë, të cilët pëlqejnë metodën tonë të plasimit të idesë islame në internet. Megjithkëto, mbi të gjitha ne jemi një grup studentësh e studentesh, po edhe shkollarësh të mesëm, e që synojmë që në mënyrë të organizuar të veprojmë në internet. Cilat janë objektivat tona? Objektivat e këtij grupi janë të shumta dhe shumëdimensionale. Kemi objektiva të cilat janë afatgjate dhe të tilla të cilat janë afatshkurtra. Si ide dhe mendime do t'i plasojmë vetëm ato që janë afatshkurtra dhe që janë të kapshme për një pjesë të lexuesve tanë. Ne synojmë që: 1. Të nxisim të rinjtë dhe të rejat të shkruajnë për Islam; 2. Të nxisim të rinjtë dhe të rejat që të përkthejnë për Islam; 3. Të jemi urë lidhëse midis atyre të rinjve dhe të rejave që shkruajnë dhe përkthejnë për së pari herë, në njërën anë, dhe, në anën tjetër, me mediat elektronike dhe të shkruara; 4. Të përkrahim të gjitha iniciativat islame që ndodhin në trojet shqiptare e që janë në dobi të muslimanëve; 5. Të jemi bartës të iniciativave islame në trojet shqiptare etj. Ekipi i këtij sajti gëzohet me secilin musliman shqiptar i cili merr iniciativë islame dhe mundohet që të kontribuojë në Dinin e Allahut të Lartësuar. E veçanërisht gëzohet me atë grup njerëzish të cilët për së pari herë veprojnë në veprimtarinë islame. I dashuri vëlla dhe e nderuara motër! Po të drejtohem ty që asnjëherë në jetën tënde nuk ke shkruar asnjë shkrim, ose ke shkruar, por je frikësuar që të plasosh atë shkrim tek një numër më i madh i lexuesve. O vëlla dhe oj motër që zotëron ndonjë gjuhë të huaj, ke mundësi të përkthesh për fe dhe nuk përkthen pasiqë friksohesh se do të të shohin njerëzit me një sy pak më ndryshe! Të gjithë ne të këtij grupi jemi soji juaj, prej atij vendi kemi dalë, prej atyre streseve dhe tremave jemi shndërruar në një grup aktiv që synim kryesor ka arritjen e kënaqësisë së Allahut. Ne jemi si ti, o vëlla dhe oj motër. Prandaj, mos ki frikë, bashkohu me ne! Nëse bashkohemi, padyshim se stresin dhe tremën do ta shndërronim në dobi dhe fuqi! Kontribuo edhe ti në këtë rrugë! Me dua: Hamdi Nuhiju Ideator dhe inicues i këtij grupi... alb_drejtesia@yahoo.com |